Tetë anëtarë të Kryesisë së PD-së kanë vendosur që përmes një vendimi qarkullues të komandojnë kryetarët e degëve në të gjitha rastet kur janë krijuar vakancat.
Komandimi i kryetarëve të rinj u hap rrugë certifikimit të anëtarësisë dhe përgatitjes së zgjedhjeve në të gjitha degët në 29 korrik për kryetarin e Partisë.
“Me qëllim ruajtjen e funksionalitetit dhe aktivitetit të partisë në nivel dege, Kryesia e PDSh, në kohë të ndryshme, në zbatim të nenit 42 të Statutit ka vendosur komandimin e kryetarëve të degëve në të gjitha rastet e krijimit të vakancës ose në rast të mungesës së aktit të komandimit ka autorizuar personat e shënuar në listë të kryejnë funksionet e kryetarëve gjatë procesit zgjedhor dhe në përfaqësimin me të tretët. Nisur nga fakti që këto veprime janë kryer në kohë të ndryshme vlerësojmë se është e nevojshme që kjo kryesi të hartojë një listë të përditësuar të të gjithë kryetarëve të degëve në detyrë, të zgjedhur, të komanduar apo të autorizuar”, thuhet në relacionin e projektvendimit.
Më tej bëhet e ditur se “Kjo nevojë vjen për shkak të detyrës që kryetarëve të degëve apo ushtruesve të funksioneve të kryetarit të degës u ngarkohet me vendimin e datës 06/07 qershor 2023 me të cilin Kryesia e PDSh vendosi fillimin e procesit për zgjedhjen e kryetarit të Partisë. Duke marrë shkas nga fakti që vendimi i datës 06/07 qershor 2023 përcakton afate të ngushta kohore për fillimin e procesit të certifikimit të listave të anëtarësisë dhe të faktit që nuk jemi në kushtet e propozimit të emrave të rinj, vlerësojmë se nuk është e nevojshme mbledhja e kryesisë dhe se vendimi mund të merret në formën e vendimit qarkullues”.
Anëtarët e kryesisë propozues
Enkelejd Alibeaj
Taulant Zeneli
Endri Hasa
Gazmend Koduzi
Taulanda Jupi
Kreshnik Çollaku
Xhemal Gjunkshi
Gentian Gaba
VENDIMI
PËR MIRATIMIN E STRUKTURËS DREJTUESE TË DEGËVE TË PD.
Në mbështetje të neneve 36, 42 dhe 45 të Statutit të PDSH-së, pas shqyrtimit te komandimeve dhe delegimeve të kryera në bazë të situatës së strukturave dhe vakancave të krijuara, si dhe për të garantuar mirëfunksionimin e plotë të degëve, me propozim të 1/5 së anëtarëve të Kryesisë të PD, Kryesia e Partisë,
VENDOSI:
“Miratimin e vazhdimit të ushtrimit të detyrës së drejtuesve të zgjedhur të degëve të partisë;
Miratimin e komandimit të të gjithë kryetarëve të degëve ku ka patur vakancë;
Drejtuesit e degëve të PD që përbëjnë dhe Kolegjin e Kryetarëve të Partisë janë sipas aneksit nr 1;
Të gjithë kryetarët ushtrojnë detyrën deri në zhvillimin e procesit të riorganizimit të degëve.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, thuhet në vendim.