Policia e Shtetit ka bërë me dije ditën e djeshme se është ekstraduar nga Greqia, Jorgo Leku, 44 vjeç, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e vitit 2012, Gentjan e Nezir Beqirit, babë e bir në Elbasan.

 

I dënuari njihet edhe me emrat Olsi Leka dhe Giorgio Lekou, ka pasur rolin e ekzekutorit në vrasjen e 11 viteve më parë, për të cilën vetëm këtë pranverë është dhënë drejtësi. I shumëkërkuari u arrestua në Greqi më 12 qershor 2020 pasi gjykata e Elbasanit vendosi masën e arrestit në mungesë për 5 vepra penale për vrasje, përfshirë edhe atë të grupit të strukturuar kriminal.

 

Ekstradimi i tij në Greqi kaloi në të gjitha shkallët e gjyqësorit ndërkohë që për vrasjen e Gentjan e Nezir Beqiri në 2012-ën, Gjykata e Posaçme përveç Jorgo Lekut si ekzekutor, dënoi me burg përjetë edhe Ardjan Çapjan dhe Florenc Çapjan në rolin e porositësve. Florenc Çapja është i vetmi person i pa arrestuar dhe me dënim në mungesë, pasi prej vitesh rezulton në Dubai, një vend që nuk ka marrëveshje ekstradimi me Shqipërinë, duke e bërë të vështirë sjelljen e tij. 44- vjeçari Leku nuk veproi i vetëm si ekzekutor në atë kohë. Bashkë me të ishte Ervis Bardhi, i cili u bë bashkëpunëtorë i drejtësisë dhe për këtë arsye GJKKO e dënoi me vetëm 15 vite burg, ndërsa Klaidi Dokoli dhe Etien Çani u dënuan me nga 25 vite burg.

 

Babë e bir u vranë brenda banesës së tyre në Elbasan ku Gentiani ishte në “Arrest shtëpie” i paralizuar dhe ruhej nga dy policë në derë të shtëpisë, për akuzën e vrasjes së Sokol Çapjas në vitin 2005. Teksa hynë në banesë pasi bindën policët se ishin miq të familjes, autorët qëlluan Gentian Beqirin me 7 plumba pistolete me silenciator, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas vrasësit Jorgo Leku dhe Ervis Bardhi i mbytën edhe babanë dhe u larguan duke lënë në derë të shtëpisë dy policët, që më vonë u akuzuan për shpërdorim detyre. Krimi i dyfishtë ishte pjesë e një seriali të gjatë vrasjesh e konfliktesh në Elbasan.

 

Rrëfimi i Ervis Bardhit

 

Ditën e ngjarjes, kur kemi bere krimin Etien Cani, ka qenë me detyrë vëzhgues, ndërsa unë dhe Olsi Leku, do hynim ne banese dhe të vrisnim Gentian Beqirin. Porosia është dhënë nga Çapjat. Etien Cani, ka parë nënën e Gentianit të zbresë nga pallati dhe të shkojë për Pazar. Mandej na ka informuar se janë larguar dhe dy policët nga hyrja e pallatit dhe kanë hyrë në makinë.

 

Menjëherë, unë dhe Olsi Leku, kemi hyre ne hyrjen e pallatit dhe me shpejtesi jemi ngjitur lart ne katin e pestë. Në derë kam trokitur unë dhe kam qëndruar para syrit optik të derës, pasi babai i Gentianit, Neziri, më njihte dhe ma kishte hapur disa herë portën e shtëpisë, pasi i kisha vizituar edhe disa herë të tjera. Vizitat në shtëpi i kryeja, për të shoqëruar me muhabet Gentian Beqirin, pasi me të isha shok dhe e vizitoja në banesë kur ishte me “Arrest shtëpie”.

 

Vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit

 

Babë e bir u vranë në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri allias Ardian Meta ishte në “Arrest shtëpie” dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë, pasi akuzohej si autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005, i cili dyshohet se u pagua nga fisi i Çelajve. Vrasja e Gentian Beqirit, është kryer në ambientet e brendshme të banesës së tij, që ndodhet në lagjen “Sporti i vjetër” në Elbasan, ku teksa qëndronte i shtrirë në krevat pasi ishte i paralizuar është qëlluar për vdekje me 7 plumba të një pistolete me silenciator dhe më pas mbytën edhe babanë e tij Nezir Beqiri. Kjo ndodhi ndërkohë që jashtë derës së shtëpisë ruanin dy efektivat e policisë, të cilët u akuzuan më pas për “Shpërdorim detyre”.

 

Dëshmia e Ardian Çapjas

 

Personi që u akuzua për organizimin e asaj vrasjeje, Ardian çapja dëshmoi në gjykatë, duke hedhur poshtë jo vetëm akuzat e Prokurorisë, por madje edhe duke hedhur akuza për sistemin e drejtësisë. “Unë deklarohem i pafajshëm për të gjitha akuzat që më ka ngritur Prokuroria, çdo gjë është bërë për të dëmtuar imazhin tim. Në 2005, më është vrarë vëllai dhe ne si familje ja kemi lënë në dorë drejtësisë. Jam shoqëruar në polici për vrasjen e 15 gushtit 2012, ndërkohë që unë po vija nga Maqedonia. Deri në datën 13 gusht të atij viti kam qenë me pushime në Greqi. Më pas, kam vendos me ik në Maqedoni të blej kaldaja. Ishim 4 veta, mes tyre edhe nipi, Florenc Çapja. Pa hyrë në Elbasan na ka ndaluar Policia dhe na kanë marrë në pyetje.

 

Aty kam marrë vesh që kush ishte vrarë. Nuk njoh asnjë nga të dyshuarit e tjerë, nuk kam asnjë lidhje me ta. Prokuroria na bllokoi pasaportat dhe ndaluan nipin tim Florencin. Prokurori Ridvan Sukaj është i lidhur me krimin, i kam kërkuar që të zbardhen ngjarjet e mia që më janë bërë 3 atentate, 2 në 2017 dhe një në 2020-ën me snajper. Pas masakrës së 3 shkurtit 2016, unë nuk kam dal më nga shtëpia. …Prokurori Ridvan Sukaj nuk na ka marrë dëshmi për ngjarjen e 2016-s dhe kjo është hakmarrje e Sukajt ndaj nesh. Hetimet vazhduan për 2 vite dhe nuk arritën të zbulojnë asgjë. Këtu ka filluar manipulimi dhe orientimi i hetimeve. Unë s’kam lidhje me vrasjen e 2012-s sepse kjo vërtetohet nga qelizat telefonike që kam qenë jashtë vendit. Këtë manipulim e ka bërë prokurori Ridvan Sukaj”, tha në gjykatë i dënuari me burg të përjetshëm për vrasjen e babë e bir.