Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako mori pjesë në mbledhjen e Komisionit të Mbrojtjes Civile të Qarkut Gjirokastër.

 

Në takim morën pjesë drejtues të institucioneve shtetërore në nivel vendor dhe përfaqësues të drejtorive të emergjencave civile pranë bashkive respektive të qarkut.

 

Çako e vlerësoi eksperiencën e punën e kryer nga të gjithë strukturat e Prefekturës së Qarkut si nga më të mirat, dhe më pas u ndal në disa prej momenteve kryesore nëpër të cilën po kalon reforma e të gjithë strukturave të mbrojtjes civile, legjislacioni dhe mundësitë e krijuara për një menaxhim sa më efikas të situatave emergjente.

 

Qeveria shqiptare ka tashmë një fond të dedikuar prej 30 milionë dollarësh për modernizimin e shërbimeve të zjarrfikësve në të gjithë vendin.

 

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes përcaktoi detyra konkrete për të gjithë strukturat e mbrojtjes civile si dhe faktorët ndikues në rajon.

 

Prefekti i Qarkut Gjirokastër, Odise Kote përcaktoi masat dhe punën parapërgatitore, për bashkitë e këtij qarku, në prag të sezonit të verës me qëllim menaxhimin sa më të mirë të emergjencave të shkaktuara në këtë stinë, që karakterizohet nga zjarret në pyje.

 

Kote ka kërkuar qasje dhe mendësi të re, ushtrim të përgjegjësive nga të gjithë faktorët për të eliminuar risqet e rrezikut nga zjarret në sezonin e verës.

 

“Ne nuk na duhen heronjtë e një dite, por na duhen njerëzit që punojnë çdo ditë për të eliminuar riskun, rrezikun, që marrin masat e duhura logjistike, infrastrukturore, që ndërtojnë e mbajnë në gatishmëri sistem lajmërimi efikas, që dekurajojnë e denoncojnë piromanët, që stërvisin më së miri efektivat e vullnetarët, që organizojnë patronazhim në parcelat me risk (ato që mbushin tre vjet e kanë kohën sipas barinjve të digjen) ata që bisedojnë çdo ditë me fermerët dhe njerëzit në terren”, ka theksuar Prefekti.