Nga Kosova është nisur për në vendet e shenjta në Arabinë Saudite në orët e hershme të mëngjesit grupi i parë i haxhilerëve për ta kryer kushtin e pestë të Islamit – haxhin.
Në përcjellje të haxhilerëve, në aeroportin ndërkombëtar "Adem Jashari" në Prishtinë, dolën t'i përcillnin familjarët e tyre, por edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava
Tërnava u uroi besimtarëve rrugë të mbarë dhe haxh e ibadete të pranuara.
"Bashkësia Islame e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha këshillat e BIK-ut këtu në Kosovë dhe në veçanti me autoritetet e haxhit të Arabisë Saudite ka qenë në bashkëpunim mjaft të mirë dhe kemi kaluar çdo pengesë të mundshme që këta haxhinjë tanë të udhëtojnë me kohë", theksoi Tërnava para nisjes së grupit të parë për në Arabinë Saudite.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton se këtë vit nga Kosova për kryerjen e haxhit do të udhëtojnë 1.597 besimtarë, të cilët do të udhëtojnë gjatë 3 ditëve, më 17, 18 dhe 19 qershor./AA