Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa deklaroi sot se, zgjedhja e Drejtorit të ri të RTSH, Alfred Peza, shkel në mënyrë flagrante 4 kushtet e ligjit për papajtueshmërinë me pozicionin.

 

Në një deklaratë për mediet, Zhupa tha se, “siç e paralajmërova në dëgjesën me Këshillin Drejtues të RTSH në komisionin e medias, ishte paracaktuar nga kryeministri zgjedhja e Pezës, në mënyrën antiligjore, në krye të institucionit. Një garë false me miq e vartës së tij, pararendi shkeljen e ligjit me caktimin e tij si Drejtor”.

 

“Në ligjin “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë “në nenin 104, ku flitet për papajtueshmëritë dhe konfliktin e interesave te Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, në pikën 1 (a) thuhet se: Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-se nuk lejohet: të jetë anëtar i partive dhe shoqatave politike, kandidat për deputet apo te jete zgjedhur i tillë në 2 legjislaturat e kaluara. Alfred Peza ka qenë i zgjedhur deputet i Partisë Socialiste në periudhën 2013-2017, ç’ka në fakt korrespondon me faktin që ka qenë deputet në një nga dy legjislaturat e fundit.  Gjithashtu Alfred Peza është edhe anëtar i Partisë Socialiste, ka qenë zëdhënës i partisë, i zgjedhur sekretar i saj digjital dhe ne forumet drejtuese të saj, ç’ka është edhe një fakt tjetër qe bie ne papajtueshmëri me ligjin. Në datë 13 qershor 2023 ne kemi marrë informacion nga AKEP ku Peza rezulton ende person kontakti për Partinë Socialiste, edhe pas zgjedhjes”, theksoi Zhupa.

 

Zhupa tha se, “ janë 4 shkelje në 4 kushte. Drejtor i një media që s`duhet të ishte gjatë vitit të fundit, pronar i një media tjetër si “alpenews.al” dhe anëtar i Partisë Socialiste, anëtar i Asamblesë, zëdhënës i dikurshëm dhe sekretar digjital, ish-deputet i Partisë Socialiste”.

 

“Kjo është një zgjedhje në vazhdën e zgjedhjeve të Edi Ramës për të kapur institucionet e këtij vendi, për të kapur median, për të vendosur një “ERTV” 2, 3, 4 dhe për ta kthyer Radio Televizionin Shqiptar në një mekanizëm të punësimeve politike dhe për ta forcuar atë në kapjen politike”, shtoi ajo.

 

Zhupa u shpreh se, “si anëtare e komisionit të medias do përdor çdo mekanizëm ligjor dhe çdo hapësirë parlamentare për ta kundërshtuar këtë kapje politike dhe shkelje të ligjit”.

 

“Si deputete e Partisë Demokratike u bëj thirrje monitoruesve të brendshëm dhe të jashtëm, organeve të respektimit të ligjit që të ngrenë zërin për këtë shkelje të hapur dhe të radhës të kryeministrit, i cili e ka kthyer ligjin në vend, siç e thotë vetë në ‘kinezëri’”, përfundoi ajo.