Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë sot në konferencën e përjavshme me gazetarët, ku ka folur për operacionin e djeshëm të ndërmarrë nga Policia e Shtetit, ku SPAK lëshoi 15 urdhër-arreste.

 

Berisha ka deklaruar se ish-shefi i Forcave Operacionale, Oltion Bistri, i cili u arrestua me urdhër të SPAK, se njihej me pseudonimin ‘Çami’ në botën e krimit.

 

Ndër të tjera ai theksoi se ish-shefi I Forcave Operacionale, është i kërkuar në Maqedoni për trafik të lëndëve narkotike në Maqedoni.

 

“Tani le t’u kthehemi pak dy eksponentëve kryesorë të krimit të arrestuar dje.

 

Oltion Bistri, drejtor i Forcës Operacionale, drejtorisë më nevralgjike antikrim.

 

Ky është posti që kishte deri para një jave, Olti Bistri.

 

Olti Bistri njihet në botën e krimit me pseudonimin Çami. Ish-shefi i komisariatit në Pogradec, dhe më pas në Forcat Operacionale, dhe i kërkuar në Maqedoni për trafik të lëndëve narkotike në Maqedoni. I kërkohen shenjat e gishtave. Jahti luksoz i kapur në Greqi është i Olti Bistrit dhe çantat e hashashit janë me mbishkrimin Çami.

 

Mjetet e komunikimit që përdor janë telefonat e dekriptuar.

 

Pas arrestimit të gjeneral Lisit, panik i madh te Don Agaçi dhe vetë kreu i Meduzës.

 

Lexoni denoncimin e vitit 2022:

 

“Arrestimi i fundit në Itali i mikut të Agaçit i ka futur frikën të gjatit nga Antimafia Italiane dhe ‘Guardia di Finanza’. Të kapur gafil nga lekët që kanë vjedhë te inceneratorët, për të mbrojtur veten, ministrat dhe lali plehun e bashkise, i gjati po bën lëvizje të shumta në strukturat e policisë.

 

Pritet që në drejtim të Forcave Operacionale të vendoset Olti Bistri, një ushtar i Saimir Tahirit në bizneset me drogën, që do dekonspirojë operacionet kundër këtyre mafiozëve të Ramës.

 

E kanë pajisur këto dite me certifikatë sigurie, me lobim të fortë të Tom Doshit, Belinda Ballukut, Tan Leprit, Aranit Arapit, që tani dini ju se është këshilltar i ministrit të familjes Çuçi dhe që ka qenë baloz i zi i drogës gjatë Tahirit. Gradën e ka marrë.

 

Pritet që do shtrëngohen radhët brenda policisë, dhe Rama do të kalojë një ligj që do vendosë në spiunim të gjithë familjet e policëve që t’i mbajë në kontroll mos e arrestojnë”.

 

“Përshëndetje Doktor. Në Tiranën në zonën numër 2, kërcet bixhozi në katër anët. Natyrisht gjobat i merr Bistri”.

 

“Narkopolicia, pronë e Ardi Veliut. Se ky është një nga zarët kryesorë edhe të Ardi Veliut. Ky është përdorur për fotografime. Ky i ka nxjerrë Veliut atë videon të asaj nënës që lozte në një film dhe Veliu e paraqiti në parlament si të tillë dhe si të atillë, në një kohë kur e punësuan për t’ia mbyllur gojën. Narkodrejtori Veliu e emëroi në kundërshtim me ligjin në Durrës. Bistri mblidhte gjobat në zonën e ish-Bllokut në Tiranë dhe ishte lidhje me Shullazin”.

 

“Ky Oltion Bistri merrte 10 mijë euro për çdo person në kërkim, ndryshe e merrte në arrest. Rasti i dy shtetasve nga Fieri, mbase i kujton diçka kur ta lexojë. Gjatë pandemisë dhe fushatës, ky dhe Ermal Kapllani i Lal Djegësit, kanë bërë 500 mijë euro duke favorizuar ndërtimet pa leje dhe lejuar lokalet. Bistri paguan për shtëpinë që Ardi Veliaj ka blerë te Kodra e Diellit, por që për çudi nuk i doli gjatë vetingut. Ju garantoj me jetë për këto që u them”,tha Berisha.