Gjykata ka rrëzuar Kërkesën e Fredi Belerit për të marrë leje për t’u betuar si kryebashkiak i zgjedhur në Himarë.

 

Beleri, kërkoi leje nga Drejtoria e Burgjeve, SPAK e GJJKO për të dalë nga paraburgimi për ceremoninë e marrjes së detyrës në Këshillin Bashkiak të qytetit të martën e 27 qershorit në ora 11.00. Kërkesa u rrëzua nga GJJKO.

 

Referuar ligjit, që mbledhja e këshillit bashkiak të quhet e vlefshme  duhet të marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të zgjedhur. Që do të thotë se të martën në sallë duhet të jenë patjetër 11 nga 21 këshilltarët bashkiakë.

 

Partia Socialiste zotëron shumicën me 9 anëtarë bashkë me Social-Demokratët dhe MEGA dhe mbetet për të parë nëse do të marrin pjesë për të bërë konstituimin, ndërkohë që kryetari i zgjedhur i Bashkisë vijon të jetë në burg. Beleri, u arrestua për akuzën e “korrupsionit në zgjedhje” 2 ditë para 14 majit.