Gjatë natës është sulmuar me granatë dore ndërtesa e komunës së Mitrovicës së Veriut. Policia e Kosovës ka njoftuar se janë shkaktuar disa dëme materiale në dy vetura zyrtare.

 

“Në orët e vona të mbrëmjes nga person/a të dyshuar është sulmuar me mjetë shpërthyes Komuna në Veri të Mitrovicës. Bazuar në informatat zyrtare dyshohet se në oborrin e objektit komunal në Mitrovicë, afër hyrjes së objektit është hedhur një mjet shpërthyes, i cili dyshohet të ketë qenë granat dore, me ç ‘rast ka shkaktuar disa dëme materiale në veturat zyrtare”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

 

Bëhet e ditur se nuk ka dëme në njerëz, ndërkaq rasti është iniciuar në organet kompetente.

 

“Fatmirësisht nuk raportohet për lëndime në njerëz, përveç dëmeve materiale të shkaktuara në dy vetura zyrtare të policisë. Në konsultim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti, ‘kryerja e veprës terroriste’. Policia e Kosovës, do të vazhdojë të angazhohet në ofrim të sigurisë dhe parandalim të akteve të tilla kriminale ndaj zyrtarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.