E humbur prej 4 ditësh, 37-vjeçarja Selime Hasa, nga fshati Peshtan-Bregas në Fier, nuk është parë nga askush që nga mëngjesi i së shtunës.

 

 

Ajo është larguar e vetme nga banesa e saj, ndërkohë që prindërit janë alarmuar duke kërkuar në zonë.

 

Sipas prindërve Shefqet e Dallëndyshe Hasa, e reja vuante nga probleme të shëndetit mendor por kishte kohë që kishte ndërprerë mjekimin. Ata pohojnë të dëshpëruar se kjo është hera e dytë që vajza largohej nga banesa, teksa theksojnë se e shoqëronin në çdo moment duke parë gjendjen e saj.

 

 

Të pashpresë për ta gjetur vetë, prindërit e 37- vjeçares kanë denoncuar humbjen e vajzës në Komisariatin e Policisë Fier teksa kanë kërkuar edhe ndihmën e medias për ta gjetur.

 

“Ne kemi bërë denoncimin për vajzën. Me ka humbur vajza. Ditën e shtunë në orën shtatë, babi kishte vajtur për bar, erdhi në shtëpi nuk e gjeti vajzën. E marr në telefon më tha ka ikur çupa. Nuk ka as të dhëna as ça veshi as ça nuk veshi. Nuk e ka parë farë”, tha mamja e 37-vjeçares.

 

Prindërit e 37-vjeçares ndihen tepër të shqetësuar për fatin e vajzës, teksa apelojnë njëzëri për ndihmë nga policia.

 

“Ne nuk kishim mundësi ta gjenim. Nuk kemi asnjë informacion as telefonatë. Dua ndihmë nga shteti të më ndihmojë. Kam frikë se e vrasin. Është pa shkollë. Dua vetëm ndihmë nga shteti”, tha ajo./TCH