Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell deklaroi sot se Shqipëria ka bërë progres në udhëtimin e saj drejt integrimit në BE.
“Shqipëria ka bërë progres në ecurinë e saj drejt BE-së dhe janë të vendosur të vazhdojnë më tej me negociatat. Procesi mbështetet shumë te angazhimi i qeverisë dhe popullit shqiptar. Unë e kam vënë theksin në diskutimin me Kryeministrin, që duhet të bashkëpunojmë me të gjitha grupet e interesit në këtë momentet kritik, thelbësor për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, deklaroi Borrell, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, nga Brukseli.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, tha se gjithashtu ishte i lumtur të shikonte se Shqipëria ka qenë në harmonizim të plotë me politikën e BE-së për sa i përket sigurisë.
Ai theksoi se kjo e ka bërë Shqipërinë target të sulmeve kibernetike, ndërsa siguroi se Shqipëria do të ketë gjithmonë mbështetjen e BE-së, në këtë aspekt.
“Jam shumë i lumtur të shoh që Shqipëria ka qenë në harmonizim të plotë me politikën e BE-së për politikën e sigurisë, masat kufizuese, në linjë me vlerat tona. Kjo e ka bërë Shqipërinë një partner shumë të mirë. Jam i vetëdijshëm që ky pozicion e bën Shqipërinë një target, por është e rëndësishme që Shqipëria do të ketë gjithmonë mbështetjen e BE-së në këtë aspekt. Ne gjithashtu po punojmë në disa aspekte për të rritur rezistencën e Shqipërisë dhe po ashtu të të gjithë rajonit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, sa i takon kundërveprimeve të sulmeve kibernetike”, deklaroi Borrell.