Qindra besimtarë myslimanë në Lushnjë kanë marrë pjesë mëngjesin e sotëm në faljen e namazit të Kurban Bajramit.

 

 

Sheshi qendror i Lushnjës para bashkisë është bërë pritësi i këtyre besimtarëve në ditën më të mirë të festës së altruizmit dhe të sakrificës në emër të zotit.

 

Myftiu i xhamisë Lushnjë Gramoz Blliku kërkoi nga besimtarët që të vazhdojnë në rrugën e zotit çdo ditë të jetës së tyre me mësimet e Kuranit të Shenjtë.

 

Edhe në Durrës besimtarët myslimanë po festojnë Kurban Bajramin, festën që simbolizon dashurinë dhe devotshmërinë e njeriut ndaj Zotit.

 

 

Që në orët e para të mëngjesit besimtarët myslimanë në Durrës iu drejtuan Xhamisë së Madhe në qendër të qytetit, si dhe xhamive të tjera pranë vendbanimeve të tyre, ku, në orën 06.00, kanë falur namazin e kësaj dite festive.

 

Zëvendësmyftiu i Durrësit Eduard Shefkiu teksa përcolli mesazhet kuptimplote të kësaj dite dhe ftoi besimtarët që bashkë me kurbanin të therin edhe veset e këqija, padrejtësitë kundrejt tjetrit dhe mosmarrëveshjet me tyre.

 

 

Shoqëria jonë duhet të heqë dorë nga padrejtësitë që i bëhen këtij populli, tha Shefkiu duke theksuar edhe qëndrimin e besimtarëve dhe shoqërisë larg shthurjes e së keqes.

 

Pas faljes besimtarët kanë  shkëmbyer urime dhe mesazhe solidariteti e dashurie me njëri-tjetrin dhe u shpërndanë për të vijuar  festën dhe përçuar mesazhin në familjet dhe të afërmit e tyre.

Po ashtu qindra besimtare myslimanë falën Kurban Bajramin në qendër të Elbasanit.

 

Myftiu Agim Duka përcolli mesazhe të paqes dhe vëllazërisë, tolerancës dhe solidaritet më të vobektet dhe ata që kanë më shumë nevojë.

 

Islami, tha Duka, në këtë ditë të veçantë lobon për të drejtat e njeriut duke hedhur poshtë çdo akuze qe i bëhet për shkelje të të drejtave të njeriut.

 

 

Myftiu u bëri thirrje besimtarëve të njihen me Islamin për të njohurin vlerat që ai përçon.