Nga Thomas Kielhorn, BILD

 

Sipas Rojës Bregdetare të SHBA, ekspertët kanë zbuluar ‘mbetje të supozuara njerëzore’ në rrënojat e nëndetëses së vdekjes ‘Titan’.

 

Ekspertët do të kryejnë një analizë zyrtare të mbetjeve të supozuara, të cilat i siguruan me kujdes në rrënojat e vendit të aksidentit, tha Roja Bregdetare e SHBA.

 

Të pesë personat që udhëtonin në ‘Titan’ humbën jetën në aksidentin në Atlantikun e Veriut.

 

Më parë kishte përfunduar operacioni për nxjerrjen e rrënojave të ‘Titanit’. Pamjet televizive tregonin momentin kur këto rrënoja ngarkoheshin në një anije në Kanadanë lindore.

 

Roja Bregdetare Amerikanë njoftoi gjithashtu se pas konsultimeve me autoritetet hetimore të partnerëve ndërkombëtarë, provat do të sillen në një port amerikan, ku mund të bëhen analiza dhe testime të mëtejshme.

 

Provat do të sigurojnë njohuri të rëndësishme për shkakun e kësaj tragjedie, tha kreu i hetimit amerikan, Jason Neubauer.

 

Megjithatë ka ende shumë për t’u bërë për të kuptuar faktorët që çuan në këtë humbje katastrofike dhe për të ndihmuar që një tragjedi si kjo të mos ndodhë më.

 

Operacioni i kërkim-shpëtimit ishte jashtëzakonisht i rrezikshëm, tha zëdhënësi i kompanisë njujorkeze, Pelagic Research, e cila zotëron mjetin e shpëtimit të telekomanduar Odysseus. “Ishte jashtëzakonisht e lodhshme dhe rraskapitëse për ekipin që punoi gjatë gjithë kohës. Pothuajse pa gjumë gjatë gjithë kohës për 10 ditë,” tha Jeff Mahoney për AFP.

 

‘Titani’ u nis më 18 qershor me pesë persona për te rrënojat e ‘Titanikut’. Pasi gati dy orësh, kontakti me anijen shoqëruese u ndërpre. Pas një kërkimi katërditor, një robot zhytës gjeti mbeturina në një thellësi prej 3800 metrash në shtratin e detit, që ishin mbetjet e ‘Titanit’. Sipas Rojes Bregdetare të SHBA, nëndetësja u shtyp nën presionin e madh të ujit.

 

Pesë personat në bord mendohet se vdiqën menjëherë. Në bord ishin bosi i kompanisë operative OceanGate, Stockton Rush; sipërmarrësi dhe aventurieri britanik, Hamish Harding; biznesmeni britaniku-pakistanez, Shahzeda Dawood dhe djali i tij 19-vjeçar Suleman dhe eksperti francez i ‘Titanikut’, Paul-Henri Nargeolet.

 

Javën e kaluar, miliona njerëz ndoqën operacionin për nëndetësen e humbur, e cila u nis më 18 qershor për të vizituar rrënojat e Titanikut, i cili u fundos në vitin 1912. Por e gjithë shpresa ishte e kotë.