Një ekip i efektivëve të Policisë Ushtarake do të jenë pjesë për herë të parë e Forcës Shumëkombëshe dhe Vëzhguesve (MFO) në Sinai, Egjipt.

 

Lajmin e bëri të ditur sot ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili i uroi mision të mbarë ushtarakëve shqiptarë.

 

Peleshi vlerësoi se ky është një mision me rëndësi kritike dhe një angazhim i suksesshëm i SHBA-së për stabilitetin rajonal në Lindjen e Mesme që prej rreth 40 vjetësh.

 

Misioni i MFO-së është të mbikëqyrë zbatimin e dispozitave të sigurisë të Traktatit të Paqes midis Egjiptit dhe Izraelit.

 

Dislokimi i efektivëve shqiptarë në këtë mision është një event me rëndësi historike, pasi për herë të parë Shqipëria kontribuon me trupa ushtarake për garantimin e marrëveshjes së paqes në Gadishullin e Sinait.

 

Në të njëjtën kohë ky është një kontribut i veçantë për sa i përket bashkëpunimit strategjik në fushën e Mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.