Ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann mësohet se do të largohet nga vendi ynë pas vetëm një viti në këtë detyrë.
Gazetari Ergys Gjençaj ka raportuar se Hohmann mund të shkojë në Irak si ambasadore e Gjermanisë.
I kontaktuar nga gazetari Gjençaj mbi ngjarjen, Delegacioni i BE ka sqaruar se Hohmann do të rikthehet në Shërbimin e Jashtëm Gjerman nga 1 shtatori 2023 për detyrën e saj të ardhshme të lartë.
“Ambasadorja e BE-së, Christiane Hohmann do të rikthehet në Shërbimin e Jashtëm Gjerman nga 1 shtatori 2023 për detyrën e saj të ardhshme të lartë. Për pyetje të mëtejshme mbi procesin e emërimit të Ambasadorit të ri të BE-së në Shqipëri, ju lutemi kontaktoni Shërbimin e Veprimit të Jashtëm Evropian në Bruksel”, thuhet në reagim.
Para se të niste detyrën në Shqipëri, në gusht 2022, Christiane Hohmann ishte ambasadore e Gjermanisë në Estoni.
Më parë, ajo ka shërbyer si ambasadore e Berlinit në Bosnje dhe Hercegovinë në vitet 2016-2019.