Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka nisur sot vizitën zyrtare në Suedi. Ndalesa e parë e tij ishte ambasada e Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin suedez dhe takimi me punonjës të shërbimit konsullor dhe qytetarë shqiptarë që paraqiten pranë kësaj konsullate për të kryer veprimet konsullore.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën të ditur se, janë mbi 71 mijë shërbime konsullore të ofruara në 6 muajt e parë të këtij viti, nga 44 misionet diplomatike dhe postet konsullore të Republikës së Shqipërisë në mbarë botën.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, në kuadër të përmirësimit dhe lehtësimit të procedurave për shërbimin konsullor online, është e angazhuar që në bashkëpunim me AKSHI-n, të realizojë për herë të parë ofrimin e 13 shërbime konsullore online,  në varësi të kërkesës së qytetarit  me paraqitje fizike ose me postë, me dokument final të pajisur me QR Code, të cilat finalizohen në llogarinë e qytetarit në e-albania te rubrika “Dokumentet e mia”.

Njëherësh po punohet që së shpejti të realizohet pagesa online, për ato shërbime konsullore të cilat kanë tarifë shërbimi. Realizimi i shërbimeve të të mësipërme, do të reduktojë kohën e ofrimit të shërbimit nga 1 deri në 5 ditë pune kalendarike.

Në ditën e parë të vizitës në Suedi, Ministri Hasani u takua me përfaqësues të komunitetit të biznesit vendas ku nënvizoi se në tre vitet e fundit, Shqipëria ka shënuar një rritje ekonomike mesatare prej 5.7% në vit, duke tejkaluar parashikimet fillestare për çdo vit.

Bashkëbiseduesit mbështetën promovimin e lidhjeve më të forta ekonomike dhe tregtare dhe inkurajimin e investimeve direkte me Suedinë. Në këtë kontekst, ekzistojnë potenciale reale për rritjen e bashkëpunimit në fusha si: energjia, infrastruktura apo turizmi./ata