Anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari ka reaguar në lidhje me aplikacionin Aktivisti, ndërsa thekson se është krijuar për patronazhistët.

 

 

Në një reagim në ‘Facebook’ Muçollari thekson se qeveria iu është qepur pas punonjësve të administratës publike dhe i detyron që rrjetet sociale t’i kalojnë në shërbim të saj, të bëjnë like, të komentojnë “bravo” kryeministrin.

 

REAGIMI I MUÇOLLARIT

Kush është Aktivisti?

Kur plasi skandali i patronazhistëve vërshuan mijëra komente në rrjete sociale. Unë kam memorizuar disa që i kam hasur më shpesh:

Po patronazhisti a ka një patronazhist?

Patronazhisti patronazhon dhe patronazhohet.

Patronazhisti patronazhon patronazhistët.

Këto mund të na duken lojëra fjalësh, por ja që ku ka zë s’është pa gjë.

Logjikisht patronazhisti diku raporton. E ka dikë mbi kokë që e mbikëqyr dhe kontrollon. Po, quhet Aktivisti dhe është aplikacion i Partisë Socialiste në shërbim të qeverisë.

 

Qeveria iu është qepur pas punonjësve të administratës publike dhe i detyron që rrjetet e tyre sociale t’i kalojnë në shërbim të saj, të bëjnë like, të komentojnë “bravo” kryeministrin, ministrat apo institucionin ku punojnë. Kështu e mat qeveria vigjilente performancën e administratës. Kështu vlerëson devotshmërinë ndaj partisë qeverisëse. Nuk ka rëndësi punojnë apo jo. Prioritet janë pëlqimet, komentet entuziaste dhe shpërndarjet masive të postimeve të shefave te partise. Shqiptarët që punojnë në administratën publike trysnohen çdo ditë nga Aktivisti. Thënë ndryshe një Big Brother, ku partia-qeveri, porsi vëllai i madh, shikon gjithçka dhe gjithkënd.

I gjithë ky investim bëhet për të krijuar partinë shtet, një autoritet mbi autoritetet, mbi ligjet dhe të drejtat. Një Shqipëri e gënjeshtërt dhe paralele e realitetit.

 

Shumëkush mund të mendojë se shqiptarët që punojnë në shtet nuk e hanë bukën kot, u bëjnë like shefave dhe kthehen në shtëpi të lumtur. Mes tyre ka shumë drejtorë, shefa sektorësh e inspektorë të korruptuar, që janë aty për të bërë gola në fondet publike. Po mes tyre ka edhe qytetarë që, pavarësisht presionit nga PS-të, mundohen ta mbajnë vendin e punës pastër, mundohen me ndershmëri dhe profesionalizëm, duke i bërë bisht Aktivistit. Një shembull të tillë po e ilustroj me foto, ku punonjës të administratës publike nuk i përgjigjen udhëzimeve nga partia. Ndoshta sepse janë taksapagues si ne, të vjedhur si ne, që meritojnë të vlerësohen, të trajtohen me respekt dhe dinjitet.

 

Me kërcënimet që marrin çdo ditë për vendin e punës duhet të gjejnë forma të tilla kundërvënieje dhe rezistence qytetare, si publikimi i kësaj bisede apo denoncimi anonim, për të moslejuar që partishteti t’i mbivendoset dinjitetit të tyre. Mund edhe të presin ditën e zgjedhjeve dhe të zbrazin aty të gjithë mllefin, për t’i dhënë mësim çdo force politike që do të qeverisë, të mësojë të respektojë e të mos luajë me dinjitetin njerëzor.

Për t’i dhënë përgjigje pyetjes në titull, Aktivisti është prova më domethënëse e instalimit të partisë-shtet. Një njësi terrori për punonjësit e shtetit dhe jo vetëm.