Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përgatitur planin e emergjencave të gazit natyror në Republikën e Shqipërisë, i cili garanton standardet minimale dhe rregullat në sigurinë e furnizimit me gaz natyror në situata emergjence, gjë e cila do të ndikojë direkt në rritjen e sigurisë së furnizimit të konsumatorëve me gaz natyror.

 

Në projektvendimin që është nxjerrë për konsultim përcaktohet roli dhe përgjegjësitë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Entit Rregullator i Energjisë, si dhe operatorëve të sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes së gazit natyror, në kuadër të veprimit të një plani emergjence në furnizimin me gaz, për të siguruar monitorimin dhe vlerësimin e zbatimit të planit të emergjencës në përputhje me dispozitat e ligjit “Për sektorin e gazit natyror”.

 

Gjithashtu, hartimi i këtij projektvendimi është kryer dhe në zbatim të ligjit “Për sektorin e gazit natyror” , në të cilin theksohet se plani i emergjencës së gazit natyror do të përditësohet çdo katër vjet ose më shpesh në rastet kur siguria e furnizimit me gaz vendoset në rrezik ose me kërkesë të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.

 

Plani i Emergjencës, i ndërtuar mbi tre nivele, atë të paralajmërimit të hershëm, alarmit dhe emergjencës, përcakton rolin dhe përgjegjësitë e sipërmarrjeve të gazit natyror, dhe të klientëve të gazit industrial duke përfshirë prodhuesit dhe transmetuesit përkatës të energjisë elektrike, duke marrë parasysh përmasat e ndryshme në të cilat ato janë prekur në rast ndërprerjeje të furnizimit me gaz si dhe përcakton ndërveprimin e tyre me autoritetet kompetente ose autoritetet kombëtare rregullatore kur është e përshtatshme, në secilin nga nivelet e krizës.

 

Njëkohësisht siguron që sipërmarrjeve të gazit natyror dhe klientëve të gazit industrial t’u jepet mundësia e mjaftueshme për t’u përgjigjur në çdo nivel krize.