Në Bruksel është duke vazhduar samiti i liderëve të vendeve të Bashkimit Evropian, në të cilin, ndër tjerash temë për diskutim janë edhe tensionet në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

 

Për këtë është diskutuar edhe ditën e parë të samitit, së pari në një takim të përbashkët që liderët e BE-së patën me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, e pastaj edhe në takimin e shefave të shteteve apo qeverive të BE-së.

 

“Ishte një diskutim mjaft dinamik dhe shumë pjesëmarrës folën për këtë temë. Por, porosia kryesore ishte se duhet të veprohet shpejt për shtensionimin e situatës dhe këto veprime duhet të bëhen nga të dyja palët“, ka thënë një zyrtar i BE-së, duke folur me gazetarët mëngjesin e së premtes, kur edhe nisi dita e dytë e samitit.

 

Gjatë ditës pritet të debatohet edhe për tekstin e konkluzioneve, i cili tekst është përgatitur për miratim. Në këtë tekst, ndër tjerash, është një paragraf që u kushtohet Kosovës dhe Serbisë, si dhe një tjetër për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

 

Mirëpo, problemi me konkluzionet është se ato të gjitha janë në një dokument dhe ka mundësi që për shkak të mospajtimeve mes vendeve të BE-së për temën e migracionit, të mos miratohen fare as konkluzionet për temat tjera.

 

Liderët e BE-së kanë bërë përpjekje deri pas mesnate që të arrijnë pajtim për tekstin, por Hungaria dhe Polonia e kanë bllokuar miratimin e pjesës që ka të bëjë me menaxhimin e migrimit në BE.

 

Zyrtarët e BE-së shpresojnë se gjatë ditës së premte do të arrihet një kompromis dhe të miratohen konkluzionet. Si mundësi alternative mbetet edhe miratimi i tyre në formën e “Konkluzioneve të Presidencës“ e jo si “Konkluzione të Këshillit Evropian”.