Policia e Shtetit ka bërë me dije se janë intensifikuar kontrollet përgjatë fundjavës, për të parandaluar ndotjen akustike, si dhe për të verifikuar zbatimin e ligjit mbi orarin dhe nivelin e muzikës.

 

Kontrollet u monitoruan nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe ishin të befasishme ose në bazë të shqetësimeve që kanë adresuar qytetarët dhe pushuesit në numrat e kontaktit të Policisë.

 

Gjatë kontrolleve në të gjithë vendin, u konstatuan në paligjshmëri, 6 subjekte (3 në Dhërmi dhe në Vlorë, si dhe nga 1 subjekt në Durrës, Elbasan dhe Tiranë).

 

Për këto raste janë proceduar penalisht 10 shtetas (pronarë, menaxherë dhe muzikantë) që prishën qetësinë publike dhe shqetësuan banorët dhe pushuesit, pasi kishin vënë muzikë të lartë në lokalet e tyre.

 

Konkretisht, në Vlorë, Livadh dhe në Dhërmi, janë konstatuar 3 subjekte ku ishte vënë muzikë në tejkalim të orarit dhe nivelit të përcaktuar. Për këto raste janë referuar materalet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 7 shtetas, konkretisht I. D., S. H., P. P., E. M., D. H., I. M. dhe E. P. (pronarë, menaxherë dhe muzikantë në këto lokale).

 

Në Durrës u konstatua një subjekt në cenim të ligjit për zhurmat, rast për të cilin janë referuar materalet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për pronarin e këtij lokali, shtetasin E. A., 50 vjeç.

 

Në Tiranë, në unazë të re, u konstatua një subjekt në cenim të ligjit për zhurmat, rast për të cilin janë referuar materalet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për menaxherin e këtij lokali, shtetasin L. K., 36 vjeç.

 

Në Elbasan, në rrugën “Aqif Pasha“, u konstatua një subjekt në cenim të ligjit për zhurmat, rast për të cilin janë referuar materalet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për pronarin e këtij lokali, shtetasin E. S., 40 vjeç. Ky shtetas gjithashtu kundërshtoi punonjësit e Policisë, gjatë kryerjes së veprimeve procedurale për ndërprerjen e muzikës.

 

Për të gjitha rastet Policia ka sekuestuar pajisjet që gjeneronin muzikën.