Qeveria kineze urdhëroi sot punëdhënësit në Pekin të pezullojnë punën në natyrë pasi meteorologët njoftuan se temperatura në kryeqytet do të arrinte 40 gradë Celsius.

 

Departamentet qeveritare janë urdhëruar të sigurojnë që të moshuarit dhe të sëmurët të mund të qëndrojnë në dhoma të freskëta.

 

Në qytetin ku jetojnë 22 milionë banorë, është shpallur “alarmi i kuq”, niveli më i lartë i sistemit të paralajmërimit për temperatura ekstreme, raporton AP.

 

Qeveria njoftoi të hënën se Pekini kishte regjistruar 10 ditë temperatura mbi 35 gradë Celsius, brezi më i gjatë i tillë që nga viti 1961.

 

Në të njëjtën kohë, përmbytjet detyruan mijëra njerëz të largoheshin nga shtëpitë e tyre në Kinën jugore.