Një djalë 7-vjeçar në Florida, SHBA, ka humbur jetën pasi u qëllua në kokë nga një plumb gjatë një përleshje mes bandave rivale për një jet ski.

 

 

Sipas policisë së Tampës, përleshja filloi kur një grup hispanikësh (njerëz që flasin spanjisht ose që janë me prejardhje spanjolle), u shqetësuan nga një grup tjetër që hipnin në jet ski pranë bregut, ku fëmijët po luanin.

 

“Kur nisën të shtënat, gjyshi i 7-vjeçarit e futi djalin në fugonin e tij. Ndërsa ndodhej brenda automjetit, një plumb i ka shpuar dorën gjyshit me të cilin ai mbronte kokën e nipit dhe më pas kafkën e fëmijës”, sqaroi një përfaqësues i policisë.

 

 

Yijian Garcia, 7-vjeç u dërgua në spital, ku mjekët nuk mundën të bënin më shumë për të dhe e shpallën të vdekur. Duke përshkruar atë që ndodhi, gjyshi i 7-vjeçarit tha: Kur ndjeva plagën në krah, u ktheva për të parë nipin tim dhe pashë plagën në kokë.

 

7-vjeçari i pafat jetonte në Nju Xhersi, por kishte vizituar gjyshërit e tij për të parë fishekzjarrët në plazh për Ditën e Pavarësisë së SHBA.

 

“Dhunë e tillë nuk duhet të drejtohet ndaj fëmijëve”, tha gjyshi i 7-vjeçarit i cili i bëri thirrje autorit të dorëzohej.

 

“Nuk ka vrarë kafshë. Ai vrau një person, një fëmijë që sapo kishte nisur jetën dhe nuk kishte lidhje me zënkat dhe armët”, tha ai.