Ekipet e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilat janë duke operuar me kapacitete të plota në Hatay të Türkiye-s pas tërmeteve të fuqishme, përpos fëmijës së moshës dyvjeçare, mbrëmë kanë arritur të nxjerrin nga rrënojat edhe nënën e saj.

 

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i ka përgëzuar pjesëtarët e FSK-së për këtë sukses.

 

"Pas nxjerrjes së fëmijës, vajzës dyvjeçare, heronjtë dhe heroinat tona me përpjekje të pandërprera dhe angazhim vetëmohues arritën të nxjerrin nga rrënojat edhe nënën e saj. Ju lumtë krenaria jonë!", ka shkruar Mehaj.

 

Ekipet e FSK-së paraprakisht nxorrën nga rrënojat vajzën dyvjeçare.

 

"Ekipet tona gjatë operacionit që janë duke realizuar, kanë hasur në viktima në objektet e kollapsuara, por, prioritet është duke u dhënë atyre vendeve ku janë detektuar persona të gjallë, dhe të gjitha ekipet e shpëtimit nga mbarë bota kanë dhënë prioritet për të shpëtuar sa më shumë jetë", tha FSK-ja në njoftim.

 

Të paktën 12.873 persona kanë humbur jetën dhe 62.937 të tjerë janë lënduar pas dy tërmeteve të forta që goditën Türkiye-n jugore të hënën.

 

Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë sipas Rihterit, me qendër në provincën Kahramanmaraş goditën dhjetë provinca dhe prekën më shumë se 13 milionë njerëz./AA