Markata e re e peshkut në Vlorë, dikur një godinë jashtë funksioni në afërsi të Portit të Peshkimit, sot ofron kushte më të mira higjieno-sanitare.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj e shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha vizituan nga afër mjediset e markatës.
“Markata e re e peshkut në Vlorë, një investim i shumëpritur prej 186 milionë lekë, ka një hapësirë prej 1300 m² dhe 14 dhoma frigoriferike, duke ofruar kushte optimale higjieno-sanitare për sigurinë ushqimore dhe rritjen e kapaciteteve magazinuese”, tha Denaj.
Denaj u shpreh se “kjo markatë, e integruar me Portin e Peshkimit dhe Portin e Ri Tregtar të Vlorës, do të funksionojë sipas standardeve të BE-së, duke formalizuar sektorin dhe lejuar eksportin e produkteve direkt në vendet e BE-së”.
“Kjo markatë është një investim i qeverisë që do të menaxhohet nga bashkia Vlorë, e cila do të sigurojë një administrim efikas, duke garantuar që investimi të sjellë përfitime maksimale, si një hap i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë blu në Shqipëri”, tha Denaj.
Kjo godinë është një investim i mbështetur nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural me një infrastrukturë të re dhe sistem të ri teknologjik me standardin e Bashkimit Evropian./ata