Çështja e emigrantëve është rikthyer sërish në vëmendjen e qeverisë britanike.
Sipas kryeministrit Rishi Sunak plani i qeverisë konservatore për të ndaluar emigrantët, përfshirë dhe shqiptarët që shkojnë me gomone në Britaninë e Madhe, po funksionon, pavarësisht shifrave rekord të regjistruara së fundmi.
The Guardian, shkruan se Sunak gjatë një diskutimi me gazetarët në aeroplan gjatë rrugës për në samitin e NATO-s në Lituani, pohoi se Britania ka “përparuar deri më tani” dhe se ai gjithmonë ka thënë se numri i emigrantëve do të rritej gjatë verës.
Sipas informacioneve, dita e premte shënoi numrin më të madh të emigrantëve që mbërritën në Britani përtej Kanalit brenda një dite për këtë vit, konkretisht 686 persona.
“Unë mendoj se plani po funksionon. Ju mund ta shihni këtë më qartë me marrëveshjen shqiptare që bëmë. Ne ndryshuam mënyrën se si emigrantët e paligjshëm vinin nga Shqipëria, nënshkruam një marrëveshje të re me Shqipërinë.
Kemi kthyer gati 2000 emigrantë të paligjshëm në Shqipëri dhe keni parë një ulje dramatike të numrit të emigrantëve. Kjo më tregon se marrëveshja po funksionon.
Sunak tha se kjo i jep atij “besimin se strategjia jonë e përgjithshme është e duhura”, duke shtuar se po bëjnë përparime në aspekte të tjera të marrëveshjes.
Ndër të tjera theksoi se zgjidhja e këtij problemi nuk do të jetë e lehtë pasi nuk pret të ndodhë brenda natës.
“Nuk do të pushoj derisa ta zgjidhim këtë problem. Nuk do të jetë e lehtë. Nuk do të ndodhë brenda natës” tha ai.