Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk e komentoi marrëveshjen e arritur më 10 korrik ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, rreth hapave për shtensionimin e situatës në veri, por foli për kërkesat që komuniteti ndërkombëtar i ka vendosur përpara Beogradit dhe Prishtinës, për uljen e tensioneve.
“Tani do të shihni një truk tjetër që disa njerëz nga Perëndimi po përpiqen ta zbatojnë. Dhe kjo nënkupton [që ata do të thonë] – kthehuni dhe flisni normalisht”, tha Vuçiç, duke shtuar se mënyra që kërkohet për shtensionimin e veriut, është e pakuptimtë për të.
“Shtensionimi është kur tërheqin 25 për qind të diçkaje? Një Zot e di se çfarë do të thotë kjo, por ata po kërkojnë një arsye të mjaftueshme për të fajësuar Serbinë”, tha Vuçiç, duke iu referuar vendimit të Qeverisë së Kosovës për të zvogëluar praninë policore në veri të vendit.
Më 11 korrik, Bashkimi Evropian konfirmoi se Kosova ka pranuar të reduktojë praninë e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës – dhe se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.
Qeveria e Kosovës tha se të gjitha hapat do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”.
Ky pajtim u arrit gjatë një takimi joformal që u mbajt në Bratisllavë midis zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Po ashtu, Kosova dhe BE-ja janë pajtuar edhe për ndërmarrjen e disa hapave të tjerë.
Edhe BE-ja ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se është pajtuar me Kosovën për këto pika, që synojnë shtensionimin e situatës në veri.
Sa i përket takimit mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, REL merr vesh se ai do të mbahet javën e ardhshme.
Bashkimi Evropian kishte paraqitur disa kërkesa për uljen e tensioneve në veri, që nisën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Që atëherë, serbët që jetojnë në këtë pjesë të vendit po protestojnë në veri, duke kërkuar që përveç kryetarëve, të tërhiqen edhe njësitë speciale policore nga veriu.
Edhe më herët, krerët shtetërorë në Kosovë janë shprehur të gatshëm që të organizojnë zgjedhje të reja në komunat në veri, por kanë kërkuar që ato të përgatiten, në mënyrë që të mos ketë bojkotim.
Zgjedhjet e 23 prillit, nga të cilat dolën kryetarët e rinj shqiptarë në katër komunat në veri, ishin bojkotuar nga partitë dhe popullata serb.
Ndryshe, Kosova ka kërkuar vazhdimisht që të nisë zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që u arrit në Bruksel më 27 shkurt. Palët, më 18 mars në Ohër arritën edhe Aneksin për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Dokumenti kërkon nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.