Shkon në 52 numri i të arrestuarve nga megaoperacioni antidrogë në Elbasan.

 

NJOFTIMI I POLICISE

Vijon operacioni policor i koduar “Rrjeti”, për goditjen e grupit që ushtronte veprimtaritë kriminale të prodhimit, shpërndarjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

 

Në pranga ka përfunduar një tjetër shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni dhe aktualisht shkon në 52 numri i shtetasve të vënë në pranga për këtë operacion.

 

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, të DVP Elbasan, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim gjatë operacionit policor të koduar “Rrjeti” për të cilin Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Personi u arrestua në malësinë e Librazhdit gjatë orëve të vona të së martës.

 

Operacioni policor i koduar “Rrjeti”, i finalizuar më datë 29.06.2023, u shtri në Elbasan, Cërrik, Peqin, Belsh, Librazhd, Përrenjas dhe Pogradec. Gjatë këtij operacioni u angazhuan 490 punonjës policie dhe 5 dronë, si dhe u kontrolluan 52 banesa dhe 18 lokale. Gjatë kontrolleve, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale: 1 kilogram e 311 gramë kokainë, 860 gramë heroinë, 1 kilogram e 317 gramë kanabis, mijëra doza kokaine, heroine, kanabisi dhe metadoni, fara kanabisi, një armë zjarri model 56, sasi municoni luftarak, pjesë të armëve të zjarrit, silenciatorë, armë të ftohta, një shumë të madhe parash prej 51 milionë lekësh, 15 mijë euro, si dhe një shumë frangash zvicerane.

 

Vijon puna për kapjen e 5 shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.