Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti ambasadorin gjerman Peter Zingraf në një takim me rastin e përfundimit të misionit të tij në Shqipëri.

 

Presidenti Begaj dhe ambasadori Zingraf shfrytëzuan rastin për të shkëmbyer mendime mbi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, njoftoi sot ambasada e Gjermanisë në Tiranë.

 

Të dy diskutuan për sfidat aktuale për Shqipërinë dhe Gjermaninë, situatën në rajon si dhe hapat e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

 

Ambasadori Zingraf falënderoi për mikpritjen e madhe që mundi të përjetonte gjatë katër viteve të qëndrimit të tij në Shqipëri.

 

Ai nënvizoi mbështetjen e Gjermanisë ndaj angazhimit të Shqipërisë për afrimin me BE-në si dhe rolin e rëndësishëm rajonal të Shqipërisë si mikpritëse e Procesit të Berlinit këtë vit.

 

Presidenti Begaj falënderoi ambasadorin Zingraf për punën e tij në Shqipëri: „A friend of Albania is leaving (Një mik i Shqipërisë po largohet)“, tha ai.