Sezoni që lamë pas ishte i suksesshëm për Interin e Simone Inzaghit i cili arriti të fitonte kupën dhe Superkipën në Itali, ndërsa mbërriti në finale të Ligës së Kampionëve. Klubi zikaltër edhe pse nuk mundi të shpallej fitues në Serinë A, ka vendosur rekord sa i përket shikueshmërisë, e thënë ndryshe zikaltrit kanë pasur numrin më të lartë të tifozëve në Giuseppse Meaza.

 

Sipas një raporti të Transfermarkt, në përballjet e zhvilluara në sezonin ‘22-‘23, Interi ka shitur plot 2 milionë bileta, nga ku ka përfituar më tepër se 81 milionë euro, të cilat kanë kaluar në arkat e klubit. Në këtë pikë kanë mposhtur dhe rivalët e përjetshëm të qytetit, Milanin që renditet i dyti, e pas tij vjen Roma. Ardhja e Mourinhos apo dhe sukseset e këtij të fundit rikthyen entuziazmin tek tifozët, të cilët preferuan ta ndjekin skuadrën në Olimpiko.

 

Mesatarja e vendosur prej tyre është rreth 66 mijë tifozë për ndeshje. Kampionët në fuqi, që regjistruan sezonin më të mirë të dekadës së fundit, nuk shkojnë më tepër se vendi i katërt. Tekniku Spalletti arriti të shpallte kampion skuadrën napoletane, ndërsa gjatë javëve të fundit numri i sportdashëve në shkallët e stadiumit u rrit ndjeshëm. Pavarësisht konkurrencës këtë sezon në Serinë A, ky kampionat ka humbur terren në krahasim me ligat e tjera.