Një 27-vjeçar i shpallur në kërkim dhe i cilësuar nga policia si shtetas me rrezikshmëri të lartë është arrestuar në Përrenjas.

 

 

Me iniciale A. B., 27-vjeçari banues në Librazhd ishte me me precedent të theksuar kriminal dhe 2 herë i shpallur në kërkim, për tentativë vrasjeje dhe trafik droge.

 

Më datë 21 shkurt të këtij viti, në një lokal në Librazhd i arrestuari ka tentuar të vrasë më armë zjarri, shtetasin R. H., me të cilin ishte konfliktuar më parë vëllai i tij, shtetasi R. B., që është arrestuar menjëherë pas ngjarjes.

 

 

Nga të shtënat ka mbetur i plagosur aksidentalisht, në këmbë, një shtetas tjetër. Sipas policisë, në banesën dhe dyqanin e përbashkët të dy vëllezërve u gjet dhe sekuestrua 1 armë zjarri pistoletë, 1 kallëp lënde plasëse të programuar për shpërthim në distancë, fishekë luftarak dhe rreth 560 gramë lëndë narkotike cannabis sativa.

 

Gjithashtu 27-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, sepse akuzohet si pjesëtar i një rrjeti kriminal në fushën e narkotikëve, i cili u godit nga Policia e Elbasanit, më datë 29 qershor të këtij viti.

 

Ai është personi i 52-të i vënë në pranga në kuadër të këtij megaoperacioni i quajtur “Rrjeti”, 52-të i vënë në pranga në kuadër të këtij megaoperacioni.

 

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, të DVP Elbasan, si rezultat i intensifikimit të kontrolleve në terren, të mbështetura nga inteligjenca policore, me qëllim mbajtjen në kontroll të plotë të rendit dhe sigurisë në qark, si dhe për kapjen e shtetasve me precedent të theksuar kriminal që përbëjnë rrezik për qytetarët, kanë lokalizuar në Prrenjas dhe kanë ndaluar shtetasin e shpallur 2 herë në kërkim A. B., 27 vjeç, banues në Librazhd”, thuhet në njoftimin e policisë.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.