Sot pritet të mbahet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë seanca ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për arrestimin e Arben Ahmetaj.

 

Të drejtën për të folur në seancë e ka dhe deputeti Arben Ahmetaj, por nuk dihet se si mund ta shfrytëzoj këtë të drejtë  duke qenë se ai nuk ndodhet jashtë vendit. Në Këshillin e Mandateve avokatët shprehën shqetesimin mbi tre akuzat që rëndojnë mbi deputetin. Sipas avokatëve “prokurorët i lidhin faktet me hetimin e procedurave për inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, por nuk janë në gjendje ose nuk dëshirojnë t’i parashtrojnë ato”.

 

“Arrijmë të kuptojmë që me procedurat e inceneratorëve, në raport me z. Ahmetaj, sipas këndvështrimit të prokurorëve, ka diçka që nuk shkon, por nuk thuhet konkretisht, qartë dhe me saktësi: cili është veprimi apo mosveprimi kriminal i z.Ahmetaj në cilësinë e ministrit përkatës, cila është pasoja kriminale e ardhur, në ç’masë e kanë determinuar këtë pasojë veprimet e ish-ministrit, çfarë pushteti vendimmarrës i lejonte atij ligji për këto procedura, cilat janë këto 6 raste korruptive, janë të veçuara nga njëra-tjetra apo pjesë e një krimi permanent (mendim unik kriminal), sa para ka përfituar ai për secilin episod korruptiv, etj., etj.”, thanë avokatët në mbrojtjen që i bërën Ahmetajt.

 

Avokatët shprehën pakënaqësi për kohën tejet të pakët qe iu dha për të përgatitur mbrojtjen.

 

“E di shumë mirë që krahasimet çalojnë, por teksa po shkruanim këtë parashtrim mbrojtës, më erdhi në mendje një ndodhi në Francën e fundshekullit XVIII, kur në Konventë po vendosej fati i Luigjit 16-të. Natyrisht deputeti Ahmetaj nuk është mbreti i Francës,  mbrojtjes së të cilit iu dha katër ditë kohë. Mua dhe kolegut Visha na u dhanë vetëm disa orë”, thanë avokatët.

 

Duke cituar mbrojtjen që bëri avokati i mbretit të Francës avokatët kanë përcjellë dhe një mesazh të fortë për politikën në Tiranë. Ata cituan pjesën e avokatit të mbretit të Francës ku thotë: “E shoh që dy zgjidhje të mundshme ka në tavolinë: ose do të bjerë koka e mbretit, ose ju do të duhet të pranoni dështimin e Revolucionit”.

 

Mbrojtja konteston faktet penale të korrupsionit që i atribuohen deputetit dhe kërkon sqarime konkrete rreth veprave kriminale dhe lidhjeve të tij me procedurat për inceneratorët.

 

Ata theksojnë se hetuesit kanë kaluar në sferën e jetës private dhe financiare të ish-ministrit, duke filluar hetimin e personit në vend të faktit penal.

 

Po ashtu avokatët kundërshtojnë qëndrimin e prokurorisë për procedurën e negociimit dhe moskonsiderimin e çështjeve teknike në propozimet e shoqërive.