Ministri i Jashtëm i Türkiye-s, Hakan Fidan falënderoi partnerët aziatikë për mbështetjen e tyre në luftën kundër Organizatës Terroriste Fetullahci (FETO), e cila qëndron pas tentativës së dështuar të grushtit të shtetit në vitin 2016.

 

"Mund t'ju siguroj se bashkëpunimi i miqve tanë nga rajoni aziatik në luftën kundër FETO-s njihet dhe vlerësohet. Ne jemi të vendosur të arrijmë më shumë së bashku në çrrënjosjen e terrorizmit njëherë e përgjithmonë", tha Fidan në kryeqytetin e Indonezisë, Xhakartë.

 

Duke nderuar ata që humbën jetën në tentativën e grushtit të shtetit, ai tha se ata bënë sakrificën përfundimtare dhe luftuan për të mbrojtur demokracinë, sovranitetin dhe lirinë turke.

 

- Roli kyç i qytetarëve

 

Fidan mbajti fjalim në Ambasadën e Türkiye-s në Indonezi me rastin e Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar, duke thënë se “populli ynë, nën udhëheqjen e presidentit tonë, pengoi tentativën tradhtare të grushtit të shtetit dhe hapi derën e Shekullit të Türkiye-s.

 

Ai shtoi se miliona njerëz dolën në rrugë në përgjigje të thirrjes së presidentit Recep Tayyip Erdoğan për të ndaluar përpjekjen për grusht shteti. “Ushtarët tanë besnikë, oficerët e policisë, oficerët e inteligjencës dhe nëpunësit e tjerë civilë së bashku me popullin eliminuan kolektivisht komplotin tradhtar të organizatës terroriste FETO”, kujtoi Fidan.

 

"Është thelbësore që qytetarët turq që jetojnë jashtë vendit të qëndrojnë vigjilentë dhe të bashkuar kundër FETO-s dhe të tjerëve që synojnë Türkiye-n", paralajmëroi Fidan.

 

- Sfidat globale

 

Fidan theksoi se bota është në prag të një transformimi të madh në sistemin ndërkombëtar, duke thënë se konfliktet rajonale dhe civile janë në rritje në mbarë botën dhe rimëkëmbja ekonomike globale është e dobët”.

 

Siç tha ai, bashkëpunimi i përmirësuar midis Azisë Juglindore dhe Türkiye-s ka potencialin të ketë një ndikim të qëndrueshëm në gjendjen globale. "Türkiye kërkon zgjidhje paqësore për konfliktet e sotme gjithnjë e më komplekse. Nga Ukraina në Somali, Filipine dhe Ballkan, ne jemi krenarë për rezultatet e prekshme të përpjekjeve të ndërmjetësimit", shtoi shefi i diplomacisë turke.

 

Ai tha se nisma e drithërave të Detit të Zi e ndërmjetësuar nga Türkiye me Rusinë, Ukrainën dhe OKB-në parandaloi mungesat akute të ushqimit në botë.

 

- FETO është rrezik për të gjitha vendet në të cilat vepron

 

Organizata terroriste Fetullahci (FETO) është përgjegjëse për tentativën e përgjakshme të grushtit të shtetit në Türkiye natën e 15 korrikut 2016. Bëhet fjalë për organizatë terroriste e udhëhequr nga Fetullah Gülen, i cili jeton në SHBA, ekstradimin e të cilit Türkiye e ka kërkuar zyrtarisht nga SHBA-ja.

 

Për vite me radhë, anëtarët e organizatës terroriste avancuan në shërbim duke manipuluar provimet, duke u infiltruar kështu në institucionet e shtetit. Më pas, fillimisht në dhjetor 2013, mbështetësit e FETO-s në gjyqësorin e Türkiye-s u përpoqën të ndjekin penalisht një numër zyrtarësh të rangut të lartë me një gjyq të montuar për korrupsion të dyshuar.

 

Disa vite më vonë, pasoi një tentativë e përgjakshme për grusht shteti nga terroristët e FETO-s, pra një përpjekje për grusht shteti të kryer nga oficerët që FETO kishte depërtuar në ushtrinë turke.

 

Hetimi për organizatën terroriste FETO tregoi se është një rrjet global që përbën rrezik jo vetëm për Türkiye-n, por edhe për çdo vend tjetër ku ajo është aktive. Këtë e kanë theksuar disa herë zyrtarët turq. Gjatë tentativës për grusht shteti në Türkiye, 251 persona humbën jetën ndërsa 2.734 u plagosën./AA