Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, apelon për respektim të rregullave të qarkullimit rrugor. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Ministri Balla, ka publikuar foto nga puna e Policisë Rrugore në monitorimin e të gjitha akseve rrugore në vend.
“Mirëmëngjesi dhe me kujtesën për të respektuar rregullat e qarkullimit rrugor ju uroj një javë të mbarë Policia Rrugore është në të gjitha rrugët e vendit për të garantuar sa më shumë siguri.”, thekson Balla.
Një ditë më parë, Drejtoria e Policisë Rrugore e Tiranës pasqyronte rezultatet e arritura gjatë monitorimit në akset rrugore.
Sipas saj, gjatë javës që lamë pas, 30 shtetas janë arrestuar dhe proceduar për drejtim automjeti në gjendje të dehur, pa leje drejtimi, dhe për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Janë vendosur 30 masa administrative që parashikojnë pezullim të lejes së drejtimit, për të cilat është shprehur pëlqimi për konvertim me pagesë sa dyfishi i maksimumit të gjobës, për shkelje si drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, për shpejtësi tej normave të lejuara dhe për shkelje të tjera të Kodit Rrugor”, njoftonte Policia e Tiranës.
“Janë ndëshkuar me masë administrative 575 drejtues mjetesh, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjeteve.387 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mosdhënie përparësie këmbësorëve, në vija të bardha.1249 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mos-vendosje të rripit të sigurimit.Janë vendosur 805 masa administrative, për mos-vendosje të kaskës mbrojtëse, nga drejtuesit e motomjeteve”, përfundon njoftimi i policisë së Tiranës.