Policia Kufitare e Durrësit ka sekuestruar 44 000 euro të padeklaruara në doganë dhe disa mallra të tjera të cilat po kalonin kontrabandë.

 

Përmes një njoftimi për mediat, Policia e qytetit bregdetarë, bëri me dije se ka finalizuar me sukses operacionin policor “Destinacioni”. Falët këtij operacioni u arrestua shtetasi me inicialet N.A, 53 vjeç. Ky shtetas, drejtues i një furgoni u arrestua në flagrancë, pasi u kap duke transportuar 44 000 euro të padeklaruara. Po ashtu, në furgon veç parave, Policia gjeti dhe mallra të tjera si medikamente, pesticide dhe pije. Mallra këto, të cilat po kalonin kontrabandë.

 

“Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, kanë intensifikuar kontrollet, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të finalizuar për parandalimin e futjes së sasive të konsiderueshme të parave të padeklaruara, që dyshohet se janë të përfituara nga veprimtaria kriminale. Bazuar në analizën e riskut dhe në inteligjencën policore, në bashkëpunim me autoritetet doganore, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Destinacioni”.”, njofton Policia e Durrësit.

 

“Në kuadër të operacionit, shërbimet e Policisë Kufitare kaluan në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, automjetin tip furgon të linjës Vlorë-Itali, që drejtohej nga shtetasi N. A.   Gjatë kontrollit të ushtruar në furgon, në pjesën e tapicerisë, shërbimet e Policisë, duke përdorur metodat bashkëkohore të kontrollit, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 44 000 euro, sasi e konsiderueshme pesticidesh, medikamente mjekësore dhe pije, të cilat shtetasi N. A. tentoi t’i kalonte pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi.”, vijon njoftimi

 

“Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi N. A., 53 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë” dhe “Kontrabanda me mallra të licencuar”.”, bënë të ditur Policia e Durrësit.

 

Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.  Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.