Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot delegacionin e PE të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, të cilët ndodhen në Kuvend për takimin e 16-të të këtij Komiteti.

 

Kryetarja Nikolla vlerësoi mbështetjen e dukshme dhe të fuqishme të Parlamentit Evropian për integrimin evropian të Shqipërisë dhe nënvizoi se, “kjo mbështetje i ka paraprirë strukturave të tjera të BE-së.”

 

“Anëtarësimi në BE është një objektiv kombëtar, mbipartiak dhe vijon të gëzojë mbështetje mbarëpopullore, më shumë se në të gjitha vendet e tjera të e rajonit. Kuvendi, qeveria, institucionet dhe qytetarët e Shqipërisë kanë vetëm një plan A për të ardhmen e vendit, që është anëtarësimi në BE. Ne e pranojmë me krenari që jemi vendi më proevropian i rajonit. Një vit nga data e çeljes së negociatave dhe mbajtja e Konferencës së parë Ndërqeveritare në korrik 2022, Shqipëria ka bërë hapa bindës drejt anëtarësimit. Kryesimi i Procesit të Berlinit përgjatë vitit 2023 po rrit prestigjin dhe kontributin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon. Kuvendi i Shqipërisë është i vendosur për të garantuar legjitimitetin demokratik të procesit të integrimit, bashkëpunimin mes maxhorancës dhe opozitës dhe karakterin gjithëpërfshirës, nëpërmjet bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe faktorë te tjerë jopolitikë”, theksoi Nikolla.

 

Kryetari i Delegacionit, Manolis Kefaloiannis, dhe anëtarët e delegacionit vlerësuan arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit, sidomos pas çeljes së negociatave, të cilat përmenden edhe në raportin e miratuar para pak ditësh, vlerësuan ecurinë mjaft pozitive të procesit të screening, avancimin e reformave dhe nënvizuan rëndësinë e përshpejtimit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.