Pasagjerët në bordin e një avioni që fluturonte nga Las Vegas për në Atlanta kanë përjetuar momente tmerri pasi humbën ndjenjat gjatë fluturimit për shkak të të nxehtit ekstrem.

 

Sipas mediave të huaja është nevojitur përdorimi i bombolave të oksigjenit për të përmirësuar gjendjen shëndetësore të udhëtarëve që ishin në bordin e fluturimit të Delta Air Lines në Aeroportin Ndërkombëtar Harry Reid.

 

Pasagjerët u lajmëruan fillimisht për një problem dhe më pas piloti i informoi pasagjerët se avioni do të kthehej për shkak të emergjencave.

 

Pjesë e fluturimit ishte edhe producentja në terren e Fox News, Kirsta Garvin, e cila raportoi se kishte dëgjuar pilotin të njoftonte se do të anulohej nisja për shkak të urgjencave të shumta.

 

Situata thuhet se është përkeqësuar dhe stjuardesat janë parë duke vrapuar lart e poshtë në korridor me bombola oksigjeni teksa pasagjerët nisën të humbnin gjendjen. Të paktën pesë pasagjerë u larguan nga avioni me barelë.

 

Pasagjerëve thuhet se iu dha zgjedhja të qëndronin në aeroplan ose të largoheshin dhe të rezervonin përsëri fluturimet e tyre për në Atlanta. Producentja e Fox tha se stjuardesat ishin sëmurë gjithashtu dhe të paktën një stjuardesë ishte nxjerrë jashtë avionit.

 

“Kërkojmë falje për përvojën që klientët tanë patën në fluturimin 555 nga Las Vegas në Atlanta më 17 korrik, e cila përfundimisht rezultoi në një anulim të fluturimit”, tha Delta në një deklaratë për Fox News.

 

Temperaturat e larta vijnë pasi pjesa më e madhe e botës po përjeton nxehtësi rekord, ilustrimi i fundit i tmerrshëm i krizës klimatike.

 

Vegasi mund të thyejë rekordin e tij të nxehtësisë së qytetit prej 117 F të dielën nëse kushtet aktuale vazhdojnë, sipas parashikuesve.