Jordania ka paralajmëruar se vazhdimi i luftës izraelite në Rripin e Gazës gjatë muajit të Ramazan, që do të fillojë më 11 mars, rrezikon një zgjerim të konfliktit në rajon.
"Vazhdimi i agresionit në këto rrethana me afrimin e Ramazanit do ta vendosë të gjithë rajonin në rrezikun e një shpërthimi," tha ministri jordanez i Punëve të Jashtme, Ayman Safadi, në një konferencë të përbashkët për media në Aman me homologen e tij bullgare, Mariya Gabriel.
“Çdo ditë që kalon me luftën e pandërprerë rrit rrezikun e shpërthimit dhe shton viktimat e saj”, theksoi Safadi.
Gabriel, nga ana e saj, shprehu shqetësimin për kushtet humanitare në Rripin e Gazës.
"Jordania e ka dëshmuar veten si një paqebërëse në rajon dhe ne mbështesim përpjekjet e saj", tha ajo.
Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga Hamasi. Lufta izraelite që pasoi ka vrarë mbi 29.690 palestineze, ka plagosur rreth 70 mijë të tjerë, si dhe ka shkaktuar një shkatërrim masiv dhe mungesë të gjërave të nevojshme.
Sipas OKB-së, lufta izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së territorit palestinez mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa