Prej janarit të 2019, 161 864 fëmijë kanë përfituar bonusin e bebes, program universal në mbështetje të të porsalindurve.

 

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në një postim në rrjetet sociale.

 

“Mirë se erdhe Ron. Me kënaqësi i dorëzova bonusin e bebes Ronit të vogël, një mbështetje direkte për familjen e tij. 161,864 fëmijë kanë përfituar bonusin e bebes që prej janarit 2019, kur nisi ky program universal që mbështet familjet e reja që gëzohen me fëmijë”, theksoi Manastirliu.

 

Bonusi përfitohet për të gjithë fëmijët e regjistruar në Shqipëri, pa dallim nëse kanë lindur këtu apo jashtë vendit.

 

Prindërit e fëmijëve të sapolindur e tërheqin çekun e bebes në maternitetin ku ndodhen, duke kryer regjistrimin e menjëhershëm të fëmijës, duke shmangur të gjitha vonesat dhe burokracitë që kanë ndodhur më parë.

 

Për fëmijën e parë bonusi është 40,000 lekë, për fëmijën e dytë 80,000 lekë dhe për fëmijën e tretë e më shumë 120,000 lekë./ATSH