Një aksident i rëndë ka ndodhur në Itali, ku si pasojë ka humbur jetën një 50-vjeçar shqiptar.

 

Shqiptari i identifikuar si Altin Doko, ishte me origjinë nga Shqipëria dhe jetonte në Longastrino, një qytet në kufirin mes Alfonsine dhe Argenta.

 

Motoçiklisti 50-vjeçar, i cili në orët e vona të pasdites së djeshme, ka qenë duke udhëtuar me Yamaha ‘R1’ humbi jetën pas një përplasje të frikshme me një Mitsubishi të drejtuar nga një grua 53-vjeçare.

 

Aksidenti tragjik ka ndodhur rreth orës 14:30, në Ravenna. Në momentin e përplasjes ka qenë prezent edhe djali i viktimës, i cili ndodhej me një tjetër motor pas të atit kur ndodhi aksidenti.

 

Në vendngjarje mbërriti një ambulancë, stafi i së cilës, pasi vlerësoi gjendjen e 50-vjeçarit, kërkoi menjëherë ndërhyrjen e helikopterit, i cili u ngrit nga Bolonja. Me gjithë përpjekjet e personelit shëndetësor shqiptari kishte pësuar dëmtime të rënda dhe pavarësisht ndërhyrjes së tyre, ndërroi jetë.

 

Ndërkohë shoferja e automjetit u transportua në spital me dëmtime të lehta.

 

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e këtij aksedenti, që deri më tani mbeten ende të paqarta.