Ministri i Punëve të Brendshme, Taulant Balla, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, kanë vizituar pikën e përbashkët të kalimit kufitar në Morinë.

 

Qëllimi i këtij takimi duket se kanë qenë radhët e gjata që krijohen nga emigrantët në krahun e Kosovës ku duhet të presin me orë të tëra për tu pajisur me një siguracion për makinat e tyre nëse nuk kanë targa shqiptare.

 

I pyetur nga gazetarët mbi këtë takim, Balla tha se i ka dhënë ministrit Sveçla dy sugjerime që pajisja e këtyre mjeteve me siguracion të bëhet në një pikë para arritjes në doganë, ose menjëherë sapo ato arrijnë në Kosovë.

 

“Është gjë e mirë që ka një shkëmbim të mirë mes dy anëve të kufirit. Ky është një takim që është bërë pas një kërkese time dhe do ë takohemi edhe më shpesh në kuadër të zbatimit të marrëveshjeve. Ka një rritje të numrit të mërgimtarëve dhe udhëtarëve të tjerë që udhëtojnë nga Shqipëria drejt Kosovës, dhe është e rëndësishme që të gjithë targat përveç atyre me targa Shqipëri kërkon më shumë vëmendje. Kam kërkuar që gjatë kthimit të tyre në Kosovë të jetë një kohë më e shkurtër dhe të japim një zgjidhje që pajisjen mos ta bëjnë më në pikën kufitare por ta bëjnë në një moment tjetër. Ka qenë një sugjerim që të bëhet sapo të futen në Kosovë ose në një distancë ndryshe nga kufiri. Unë kam besim se do të gjendet një zgjidhje në lidhje me këtë që krijon dhe radhë në të dy anët e kufirit”, është shprehur Balla.

 

Të pyetur mbi raportet e kryeministrit Rama dhe Kurtit, asnjëri prej ministrave nuk ka dashur ta komentojë si çështje.

 

Kur u pyetën nga gazetarët për anulimin e mbledhjes së dy Qeverive, Balla tha se emigrantët duan që të gjendet zgjidhje që ata mos të presin në kufi dhe se për çështje të tjera ka kohë të flasin.