Kryeministri Edi Rama shprehu sot mirënjohjen për vlerësimin që SHBA i bëri vendit tonë gjatë misionit si anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, Rama u ndal te përfundimi me sukses i misionit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.

“Më vjen shumë mirë që kjo vizitë përkon edhe me përfundimin e misionit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe i shpreha Sekretarit të Shtetit, përveç falënderimit për mbështetjen e paçmuar që patëm nga SHBA dhe misioni i SHBA-së në OKB për praninë tonë në Këshill dhe për suksesin e misionit tonë në dy vitet që qëndruam si anëtar jo i përhershëm në KS, por edhe mirënjohjen për mesazhin prekës që përcolli publikisht ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara”, tha Rama.

Kryeministri shprehu mirënjohjen për vlerësimin e lartë që ajo i bëri misionit shqiptar, për fjalët jashtëzakonisht pozitive që ajo ndau me publikun për mënyrën se si Shqipëria arriti ta përfaqësojë veten.

“Por, më tepër se kaq, si arriti të përfaqësojë edhe këtë komunitet vendesh dhe shtetesh që qëndrojnë së bashku për disa vlera dhe parime që për ne janë të panegociueshme”, tha Rama./ata