SPAK ka çuar për gjykim çështjen ndaj punonjësit të Drejtorisë së Përgjithshme të Objekteve Publike pranë Bashkisë Tiranë, Erjon Buçuku që akuzohet për korrupsion pasiv.

 

Rasti u denoncua në emisionin investigativ “Stop” në Tv Klan.

 

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.124 të vitit 2023 dhe në përfundim të tyre në datën 24.07.2023 i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesë për dërgimin e çështjes për gjykim në ngarkim të të pandehurit: Erjon Buçuku, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal”, njoftoi SPAK.

 

Prokuroria e Posaçme thotë se transmetimi i pamjeve ka shërbyer si indicie për fillimin e hetimeve.

 

Nga veprimet e prokurorëve është provuar se Buçuku, me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Burimeve Njerëzore të Drejtorisë së Përgjithshme të Objekteve Publike në Bashkinë Tiranë, ka përfituar në mënyrë të parregullt vlerën monetare prej 100.000 lekë, për të punësuar G. Bregun si roje të shkollës 9 vjeçare “Ardian Klosi”, Tiranë.

 

Ai i ka kërkuar përfitim të parregullt Bregut në vlerën monetare prej 150.000 lekë, për të punësuar edhe të fejuarën e tij si sanitare në shkollën “Mihal Grameno”, por ai nuk ia ka dhënë këtë vlerë monetare.