Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj së bashku me drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Mirlinda Karçanaj po marrin pjesë në Samitin Botëror të Qeverive në Forumin për Inteligjencën Artificiale dhe politikat më të suksesshme.

Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se, përfshirja e Inteligjencës Artificiale në sektorët integral të vendit është një nga ambiciet më të mëdha të qeverisë shqiptare dhe duhet të shihet si instrument që do të na ndihmojë në rritjen e produktivitetit dhe sigurimin e një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik.

“Risitë e sjella përmes inovacionit dhe përdorimit të Inteligjencës Artificiale janë hapat e radhës që edhe startup-et duhet të përshtaten”, theksoi ministrja Ibrahimaj.

Vlerë e shtuar e Samitit, ishte diskutimi për Inteligjencën Artificiale me ekspertë të mirënjohur si Greg Wilson, përfaqësues i lartë i Microsoft, zyrtari i lartë për teknologjinë i Amazon Werner Vogels dhe laureatë të çmimit Nobel për Kimi dhe Fizikë, profesorët  Michael Levitt dhe Serge Haroche.

Edicioni i 11-të i Samitit të Qeverisë Botërore (WGS) po zhvillohet nga 12 deri më 14 shkurt 2024, në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe.

Samiti i Qeverive Botërore është një konferencë vjetore me një rol kryesor në nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, ndarjen e njohurive dhe nxjerrjen në pah të modeleve inovative qeveritare. Organizuar nga Organizata Botërore e Samitit të Qeverive, një entitet global, neutral, jofitimprurës, samiti i kushtohet formësimit të së ardhmes së qeverive./ata