Në Kuvendin e Shqipërisë ka mbërritur draftligji që do mundësojë trajtimin financiar të punonjësve dhe ish-punonjësve të Kombinatit Mekanik të Poliçanit. Ky projektligj u miratua nga qeveria, me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes.

Projektligji përbëhet nga 5 nene dhe synon të përcaktojë kriteret, procedurat dhe dokumentacionin e nevojshëm për trajtimin financiar, si dhe pagimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për punonjësit dhe ish-punonjësit e Kombinatit Mekanik Poliçan. Efektet e pr/ligjit, që pritet të miratohet brenda këtij sesioni parlamentar shtrihen brenda vitit 2024.

Në relacionin bashkangjitur pr/ligjit të hartuar nga Ministria e Mbrojtjes, bëhet me dije se fillimisht përfitues do të jenë 127 punonjës punonjës të palikuiduar për periudhën shkurt 2017 deri më 31 dhjetor 2020.  Po ashtu do të përfitojnë trajtim financiar dhe 4 punonjës aktualë, për vitet 2021- 2023

“Projektligji saktëson kushtet dhe procedurën që do të ndiqet për të ndihmuar punonjësit dhe ish-punonjësit e Kombinatit Mekanik Poliçan, me qëllim përmirësimin e statusit ekonomik dhe social të tyre. Projektligji synon trajtimin financiar, si dhe pagimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore për punonjësit dhe ish-punonjësit e Kombinatit Mekanik Poliçan, duke përballuar efektet financiare për 4 punonjësit aktualë, për vitet 2021- 2023 dhe për 127 punonjës të palikuiduar për periudhën shkurt 2017 deri më 31 dhjetor 2020”, lexohet në relacionin bashkangjitur draft-ligjit.

“Gjobat dhe kamatëvonesat e krijuara në sistemin e DPT-së për Kombinatin Mekanik Poliçan do të merren parasysh për likuidim në vijim nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, në shpenzimet operative në programin buxhetor “Mbështetja e luftimit”, njësia shpenzuese “Komanda mbështetëse””, thuhet në relacion.

“Në lidhje me pagesat që do të kryhen për punonjësit aktualë dhe ish-punonjësit, sqarojmë se këto i referohen dokumentacionit i cili pas miratimit të këtij ligji do të dërgohet në degën e thesarit dhe do të përmbajë të dhënat, si më poshtë: Të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NIUS, ku janë të punësuar; Të dhënat identifikuese të përfituesit, si: Emri e mbiemri i përfituesit; Numri personal i identifikimit të përfituesit; Numri i llogarisë rrjedhëse të përfituesit dhe emri i bankës përkatëse; Urdhërpagesa 1900 (deklarata e gjeneruar nga sistemi efiling.tatime.gov.al)”, sqarohet në relacionin e pr/ligjit në fjalë.

Efektet financiare, për detyrimet për paga dhe deklarimin e kontributeve në sistemin e-filling, janë në masën 58 500 000 lekë për pagat dhe 25 300 000 lekë për sigurime shoqërore, shëndetësore, në vlerën totale 83 800 000 lekë,  të cilat do të përballohen nga fondi i alokuar për Ministrinë e Mbrojtjes, në shpenzimet korrente në programin buxhetor “Mbështetja e luftimit”, njësia shpenzuese “Komanda mbështetëse”, brenda vitit 2024./ata