Gjegji Mulallli, i cili vrau një natë më parë bashkëshorten, iku nga vendi i ngjarjes dhe u shpall në kërkim. Pasi forcat e policisë e kishin lokalizuar, ai ka hapur zjarr ndaj tyre, ndërsa policia njofton se më pas është vetëvrarë. Ai u gjet në një banesë të tij të braktisur në fshatin Zëmblak.
“Pas kërkimeve të pandërprera dhe kontrollit të territorit me qëllim kapjen e shtetasit Gj. M., i cili një ditë më parë vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij, shërbimet e Policisë të DVP Korçë dhe Komisariatit të Policisë Maliq bënë të mundur lokalizimin në një banesë të braktisur, në fshatin Zëmblak, të këtij shtetasi.
Sapo ka konstatuar se ka qenë i rrethuar nga forcat e Policisë 55-vjeçari, ka hapur disa herë zjarr ndaj punonjësve të Policisë.
Pas thirrjeve të njëpasnjëshme të Policisë për t'u dorëzuar, ky shtetas është vetëvrarë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të kryer veprime të mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje”, njofton policia.