Ministri i Shëndetësisë i Türkiye-s, Fahrettin Koca, tha se të paktën 20.213 njerëz humbën jetën dhe 80.052 të tjerë u plagosën nga dy tërmetet e forta që goditën pjesën jugore të vendit të hënën.

 

Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6, me qendër në provincën Kahramanmaraş, prekën më shumë se 13 milionë njerëz në 10 provinca, duke përfshirë gjithashtu provincat Adana, Adıyaman, Diyarbakır, Gaziantep, Hatay, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Şanlıurfa.

 

Disa vende në rajon, duke përfshirë Sirinë dhe Libanin, gjithashtu ndjenë lëkundjet e forta që goditën Türkiye-n.

 

Ministri Koca tha se rreth 20 mijë njerëz u shpëtuan nga rrënojat e ndërtesave të shkatërruara dhe janë zhvendosur në provinca të tjera nëpërmjet transportit ajror, tokësor dhe detar.

 

Duke folur më herët në Adıyaman, presidenti Recep Tayyip Erdoğan tha: "Ne përjetuam një nga fatkeqësitë natyrore më të mëdha në historinë e kombit tonë".

 

Autoritetin për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave të Türkiyes (AFAD) tha në një deklaratë se të paktën 159.146 personel i kërkim-shpëtimit po punon në terren.

 

AFAD gjithashtu njoftoi se 7.716 personel nga vendet e huaja u dërguan gjithashtu në zonën e fatkeqësisë.

 

Ministria e Jashtme e Türkiye-s njoftoi se gjithsej 97 vende kanë ofruar ndihmë dhe se ekipet e kërkim-shpëtimit nga 61 vende po vazhdojnë aktualisht përpjekjet e tyre në terren.

 

Vazhdojnë evakuimet nga zona e tërmetit

 

AFAD njoftoi se numri i përgjithshëm i të evakuuarve nga rajonet e goditura nga tërmeti ka arritur në 102.274 persona.

 

Deri më tani, avionët presidencialë kanë transportuar gjithashtu 126 persona të plagosur, përfshirë 16 foshnja, në spitalet në kryeqytetin Ankara.

 

Përveç ekipeve të shpëtimit, në zonat e prekura janë dërguar batanije, tenda, ushqime dhe ekipe të mbështetjes psikologjike, si dhe 12.244 automjete, duke përfshirë ekskavatorë, traktorë dhe buldozerë.

 

Gjithsej, AFAD bëri të ditur se 97.973 tenda familjare janë ngritur për të strehuar të mbijetuarit.

 

Ministri i Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike i Türkiye-s, Murat Kurum, tha se vendi do të nisë "mobilizimin më të madh të strehimit nga fatkeqësitë" në historinë e tij.

 

AFAD njoftoi se personeli dhe materialet e shpëtimit dhe ndihmës janë dërguar në rajon me 166 avionë.

 

Për më tepër, dy dronë Akinci po përdoren për të koordinuar punën në zonat e fatkeqësive.

 

Gjithsej 26 anije u caktuan gjithashtu në rajon për dërgimin e personelit dhe materialeve dhe për evakuim./AA