Suedia dhe Danimarka po mendojnë për ndalimin e djegies së Kuranit, pasi veprimet rrezikojnë sigurinë e tyre dhe kanë provokuar protesta të forta në vendet myslimane.

 

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson tha se ishte në kontakt të ngushtë me homologen e tij daneze Mette Frederiksen për një ndalim të mundshëm.

 

“Ne jemi në situatën më serioze të sigurisë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe ne e dimë këtu se të dy shtetet, aktorët shtetërorë dhe individët mund të përfitojnë nga situata”, shkroi Kristersson në Instagram të dielën në mbrëmje.

 

Më herët, qeveria daneze njoftoi se do të shqyrtonte mjete juridike për të ndaluar djegien e Kuranit përpara ambasadave të huaja.

 

”Fetë lejohen të kritikohen”, tha ministri i Jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen.

 

”Por, nëse qëndroni përpara një ambasade të huaj dhe digjni një Kuran ose para ambasadës izraelite digjni Tevratin, kjo nuk ka asnjë qëllim tjetër veçse tallje. Megjithatë, kjo e rrezikon sigurinë kolektive të vendit”, tha ai.

 

Kohët e fundit, grupe të vogla dogjën kopje të Kuranit gjatë aksioneve islamofobike në Suedi dhe Danimarkë.

 

Kjo çoi në protesta dhe kërcënime nga ana e disa vendeve myslimane.

 

Reagimet ishin veçanërisht të forta në Irak, qeveria e të cilit dëboi ambasadorin suedez.

 

Më herët, demonstruesit në Bagdad hynë në ambasadën suedeze dhe i vunë flakën.