Kreu i Grupit të “Rithemelimit” Sali Berisha, vijon akuzat ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, për çështjen e inceneratorit të Tiranës.

 

Përmes një deklarate për mediat, Berisha thotë se inceneratori i Tiranës do u kushtojë taksapaguesve në 30 vite deri në 720 milionë euro.

 

“Kjo sepse djegësi i Tiranës apo me të drejtë mund të quhet djegësi i Erion Veliajt, i kontraktuar si koncesion për 128 milionë euro dhe me afat 30-vjeçar, është afera në total prej 680 milionë euro, pra 24 herë më e madhe se djegësi i Elbasanit. Po të kemi parasysh se vetëm në 6 vite janë shpenzuar 110 milionë euro, djegësi i Veliajt do u kushtojë taksapaguesve në 30 vite deri në 720 milionë euro”, theksoi Berisha.

 

Sipas tij, “qytetarët duhet ta dinë të vërtetën se është personalisht Erion Veliaj që kërkoi zyrtarisht zëvendësimin e trajtimit të mbetjeve dhe zgjerimin e landfillit të Sharrës dhe dhënies me koncesion te privati të trajtimit të plehrave me incenerim”.

 

“Erion Veliaj ka kërkuar me disa shkresa dhënien me koncesion për 30 vite në vend të investimit publik që është përdorur në djegësin e Elbasanit dhe Fierit. Shkëlqim Cani ka refuzuar kërkesën e Veliajt, por edhe Arben Ahmetaj e ka refuzuar tre herë kërkesën e tij të paligjshme, por vetëm herën e katërt, duke përdorur një dokument të paligjshëm të Këshillit të Qarkut të Veliajt, firmos duke shkruar ‘no koment’. Për djegësin e Tiranës apo djegësin Veliaj, janë përgjegjës para ligjit Edi Rama, Engjëll Agaçi, Koka, Gjiknuri, Bllako. Por sipas ligjit dhe Kushtetutës, hajduti i parë dhe përgjegjësi i parë është Erion Veliaj, pasi kryetarit të bashkisë së Tiranës, asnjë firmë nuk mund t’i impononte heqjen dorë nga praktika e seleksionim-depozitimit të plehrave dhe zëvendësimit me djegësin me koncesion”, shprehet Berisha.