Dy aksidente të njëpasnjëshme janë shënuar mesditën e sotme në Dibër.
Uniformat blu bëjnë me dije se një shtetas ka përplasur me makinë 47-vjeçaren në aksin Maqellarë-Peshkopi dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
47-vjeçarja e aksidentuar është ndihmuar nga një shofer i rastësishëm, i cili për shkak të shpejtësisë ka aksidentuar po ashtu një këmbësor duke shkuar për në spital.
Të dy të aksidentuarit janë dërguar në spital, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
“Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Dibër kanë vënë në pranga shtetasit F. K., 44 vjeç, banues në Durrës dhe G. B., 34 vjeç, banues në Maqellarë. Më datë 02.08.2023, në aksin rrugor “Maqellarë-Peshkopi”, automjeti që drejtonte 44-vjeçari, ka përplasur shtetasen Z. M., 47 vjeçe (këmbësore) dhe më pas, 44-vjeçari është larguar nga vendi i aksidentit. Shtetasi G. B., drejtues i një automjet tjetër, teksa transportonte shtetasen Z. M., në spital, pasi rastësisht e ka konstatuar të dëmtuarën, në rrugë, dyshohet se për shkak të shpejtësisë, ka përplasur me automjet, shtetasin B. M., 30 vjeç (këmbësor)”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Dibër, për veprime të mëtejshme.