Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, gjatë patrullimit në territor, në afërsi të një hoteli, kanë gjetur në tokë, një portofol me një shumë parash, karta bankare dhe një pasaportë të shtetit të Kuvajtit.

 

 

Punonjësit e Policisë e kanë dorëzuar portofolin në Komisariatin e Policisë Sarandë dhe pas verifikimeve dhe komunikimit me personelin e hotelit në afërsi të të cilit u gjet portofoli, rezultoi se pasaporta që u gjet në këtë portofol i përkiste një turisti nga Kuvajti që ishte akomoduar në këtë hotel. Ky shtetas është paraqitur në Komisariatin e Policisë Sarandë ku punonjësit e Policisë i kanë dorëzuar portofolin që ai kishte humbur. Turisti ka falënderuar punonjësit e Policisë, për gjestin dhe korrektësinë e treguar.

 

Shërbimet e Policisë së Himarës i kanë dorëzuar një tjetër turisti të huaj, portofolin që ai kishte humbur në një rrugë në Himarë. Portofoli i turistit të moshuar holandez ishte gjetur dhe ishte dorëzuar në Komisariat, nga një banor i Himarës. Turisti nga Holanda, pasi ka marrë portofolin, në Komisariatin e Policisë Himarë, ka falënderuar punonjësit e Policisë dhe qytetarin, për gjestin e tyre.

 

Po ashtu Shërbimet e Policisë së Vlorës i kanë dorëzuar një tjetër shtetasi të huaj, portofolin me një shumë parash dhe karta banke. Portofoli është gjetur në afërsi të një lokali, nga një pushues, ia cili ia ka dorëzuar punonjësve të Policisë që po patrullonin në zonë. Shtetasi i huaj falënderoi shtetasin që i gjeti portofolin dhe punonjësit e Policisë, për gjestin e tyre.