Personi në foto është Aldo Majnishta, 29-vjeçari nga Shkodra dhe u arrestua ditën e sotme në Kosovë pasi ishte në kërkim për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.

 

Policia bën me dije se si rezultat i shkëmbimit në kohë të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe ILECU-së, Kosovë u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e tij.

 

Në momentin e kapjes, Majnishta ka paraqitur dokumentet e një shtetasi tjetër.

 

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në vitin 2022, i ka caktuar 29-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”.

 

Ai ishte shpallur në kërkim pasi nga hetimet ka rezultuar se është njëri nga organizatorët e rrëmbimit dhe zhdukjes së shtetasit Jan Prenga.

 

Rrëmbimi i Jan Prengës

 

Jani Prenga u rrëmbye me 17 janar 2020 në Kamzë, disa ditë pasi ishte ndjekur e vëzhguar. Ai u përlesh me rrëmbyesit, por ata të fundit mundën ta fusnin në një makinë Range Rover ngjyrë e bardhë. Automjeti me pengun brenda shkon në resortin Golden.

 

Në pamjet filmike shfaqen rrëmbyesit, duke fshehur provat si, pistoleta apo fenelina policie. Ndërkohë që trupi i Jan Prenges ndodhej i pajetë në tokë.

 

Sipas gjykatës, Jan Prenga qëndron pa lëvizur nga ora 11.32 deri ne 18.12 minuta. Pas kësaj ore rrëmbyesit mbështjellin me qese e çarçaf dhe e fusin në një furgon të bardhë.

 

Fesim Bexhdili është njeri nga personat që asgjësoi kufomën. Të nesërmen Bexhdili dhe Olsi Turja pastrojnë gjurmët e krimit në garazh.

 

Gjykata ka krijuar bindjen se Jan Prenga u rrëmbye pasi vëllai i tij Astriti kishte grabitur një sasi të madhe kokaine në një port të Britanisë së Madhe. Për të kthyer drogës Dritan Rexhepaj që ndodhej atëkohë në një burg të sigurisë së lartë në Ekuador e Gentian Docaj Funiqi udhëruan të merrej peng babai i 3 fëmijëve.

 

Astrit Prenga e ktheu një sasi kokainë dhe pagoi një shumë të madhe parash, por rrëmbyesit nuk e liruan pengun.